Harta e Farmacive 24 orëshe në Shqipëri
Receta elektronike
Tashmë nje realitet për mjekët dhe qytetarët që kërkojnë shërbime shëndetësore
Si Je? Check-up i kursen shoqërisë $125mln dhe parandalon 450 vdekje të parakohshme në 10 vjet
“Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus”

Zbulimi i hershëm i sëmundjeve, përveç se shpëton jetë, sjell edhe përfitim...

Vazhdo leximin...
Prezantimi i portalit e-Albania
Porta juaj drejt shërbimeve elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri

Zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, futja e pajisjeve mjekësore në rimbursim, rritja e nivelit dhe cilësisë së kontrollit ndaj dhënësve të shërbimit të kontraktuar për të eleminuar abuzimet si dhe sensibilizimi i popullatës për pjesëmarrje në Kontrollin Mjekësor Bazë do të jenë disa ndër objektivat kryesorë të punës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016. 

Gjatë analizës vjetore të punës së FSDKSh-së për vitin 2015, ku mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Zoti Ilir Beqaj, në fjalën e saj Drejtorja e Përgjithshme e Fondit, Znj. Vjollca Braho theksoi se gjatë vitit të kaluar janë konstatuar një sërë problemesh, mes tyre abuzime me skemën e rimbursimit të barnave, që kanë sjellë dëm financiar në buxhetin e shtetit, por edhe dëmtim të imazhit të institucionit duke dëmtuar edhe interesin e qytetarëve. “Këto abuzime janë konstatuar veçanërisht në Rajonin e Tiranës, e që lidhen me subjekte farmaceutike, të cilat kishin kontratë me Drejtorinë Rajonale të Fondit Tiranë. Këto subjekte farmaceutike financoheshin për shërbime që në fakt rezultuan se nuk i ishin ofruar ndonjëherë qytetarëve. Për këtë arsye ato ju referuan organeve të Prokurorisë hetimi i të cilave çoi në zgjerimin e rrethit të subjekteve farmaceutike nën hetim. Paralelisht me organin e Prokurorisë në vijim të punës gjatë vitit 2015 u intesifikuan kontrollet nga Drejtoria e Kontrollit Parësor e Farmaceutik në 692 subjekte të kontraktuara me Fondi”, deklaroi znj. Braho. Duke iu referuar rasteve të mësipërme, gjatë 2015-ës është konstatuar se midis depove farmaceutike dhe farmacive të kontraktuara ekzistonte një lidhje në këtë skemë mashtrimi. Pra u vu re që depot lëshonin fatura fiktive drejt farmacive pa i shoqëruar këto me barin përkatës, ndërsa farmacitë paraqisnin receta fiktive për rimbursimin e barnave që nuk tregëtoheshin nga këto depo farmaceutike. “Si pasojë e këtyre shkeljeve të konstatuara janë marrë vendime për zgjidhjen e kontratave për 20 subjekte farmaceutike, ndërkohë që për 50 subjekte të tjera nga të cilat 36 farmaci dhe 14 depo farmaceutike dokumentacioni u është përcjellë organeve të Prokurorisë. Dëmi i konstatuar nga këto kontrolle është rreth 68 milionë lekë, një pjesë e të cilave tashmë është arkëtuar dhe po punohet për rikuperimin e pjesës tjetër”, vazhdoi Braho.

Një nga projektet më të rëndësishme të Fondit për 2015  ishte programi i kontrollit bazë për grupmoshat 40 deri 65 vjeç, i njohur gjerësisht tashmë si “Check Up”. Falë këtij projekti rreth 917 mijë persona në të gjithë vendin kanë të drejtë të përfitojnë kontroll pa pagesë, duke u paraqitur tek mjeku i familjes pranë qendrave shëndetësore, në muajin e lindjes së tyre. “Pavarësisht përpjekjeve të bëra jo çdo gjë shkoi ashtu siç pritej. Problemet e ndryshme infrastrukturore bënë që procesi të mos niste që në fillim të vitit. Po kështu, lëvizja demografike e qytetareve dhe mungesa e një adrese të saktë për banorët, kushtëzoi mundësinë e njoftimit të tyre. Si rrjedhojë, funksionuan në përgjithësi ftesat për banorët, nga mjeku i familjes dhe personeli infermieror i qendrave shëndetësore, si dhe vetë dëshira e banorëve për të realizuar këtë proces. Në funksion të tyre, u angazhua stafi mjekësor e infermieror i qendrave shëndetësore. Përvec kësaj, përmes partneritetit publik privat, janë ngritur dhe kanë funksionuar 380 kabinete të kontrollit mjekësor bazë. Për 60 Qendra Shëndetësore me infrastrukturë të vështirë, shërbimi i kontrollit bazë është realizuar me kabinete të lëvizshme. Në total për periudhën mars - dhjetor 2015 është bërë e mundur që të kryejnë “Kontrollin Bazë” 244 420 persona”, vazhdoi kreu i FSDKSh-së. 

Përsa i përket kartës së shëndetit, Braho sqaroi se pavarësisht se ka pasur probleme pasi janë konstatuar rradhë të gjata, karta ka sjellë përfitim kohor dhe rritjen e rolit të mjekut të familjes, në funksion të shërbimit ndaj pacientëve. Ndërkohë për sa i përket listës së barnave me rimbursim gjatë vitit 2015 u shtua me 29 alternativa të reja. Ajo përmban 1.029 alternativa tregëtare, nga të cilat 489 janë aternativa të para, nga 477 që përmbante Lista e Barnave te Rimbursuara në vitin 2014. Lista e vitit 2015 ka 12 principe aktive më shumë se ajo e vitit 2014, pra 280 principe aktive, nga 268 që përmbante lista paraardhëse.  Vendimi që çmimet e barnave në vendin tone të jenë të krahasueshme me 5 vende të huaja u shoqërua me ulje me rreth 12.5 për qind të çmimeve të barnave të aplikuara në listen e barnave të rimbursueshme. Kjo solli një përdorim më me kosto-efektivitet të këtij programi të përfitimit nga skema e sigurimeve shëndetësore.

Gjatë vitit 2015 u zbatuan në një shtrirje gjithëvjetore paketat shëndetësore, që financohen nga skema e sigurimeve shëndetësore. Këto paketa janë realizuar si nga spitalet publike ashtu edhe nga institucionet jopublike të shëndetësisë, që janë kontraktuar për shkak të kapaciteteve të limituara të spitaleve publike, duke synuar, plotësimin e nevojave të popullatës. Kështu, gjatë vitit 2015 është ofruar shërbimi i hemodializës për rreth 880 pacientë, 34 për qind e të cilëve në spitalet publike (QSUT, spitalet rajonale Elbasan, Gjirokastër, Shkodër), dhe 66 për qind në 4 institucione jopublike. U realizuan 5 266 paketa të kardiologjisë, nga të cilat 84 për qind në spitalet publike dhe 16 për qind në institucione jopublike të kontraktuara. Gjithashtu, gjatë 2015 u realizuan 801 paketa të kardiokirurgjisë, nga të cilat 86% në QSUT dhe 14 për qind në institucione jopublike. Në institucione jopublike janë realizuar edhe 8 transplante të veshkës. Këto paketa jane financuar nga Fondit me nje vlere rreth 2.2 miliardë lekë, në shërbim të përmirësimit të jetesës së popullsisë, si dhe duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes së pacientëve.

Ndër projektet më të sukseshëm gjatë vitit 2015 ishte ai i recetës elektronike që u vu në zbatim gjatë vitit 2015, ku bëjnë pjesë 18 qendra shëndetësore dhe kanë akses 130 mjeke te pergjithshem familjes dhe 75 subjekte farmaceutike. Ky sistem mundëson komunikim online me Regjistrin Themeltar te Gjendjes Civile, regjistrin e Barnave të regjistruara, si dhe Regjistrin e banorëve të pajisur me karta shëndetësore.

Në këtë kuadër Braho theksoi se objektivat që ka Fondi për vitin 2016 janë të mëdha dhe do të fokusohen në disa fusha të ndryshme. “Ne duhet të bëjmë të mundur jo vetëm shtrirjen e projektit të recetës elektronike në të gjithë vendin por edhe implementimi i sistemit të firmës elektronike për mjekët e farmacistët të shoqëruar me krijimin e DATACENTER-it Kombëtar të Fondit”, deklaroi Braho. Ndërkohë në kuadër të eleminimit të abuzimeve me skemën e barnave të rimbursueshme, ajo theksoi se është e domosdoshme rritja e nivelit dhe cilësisë së kontrollit ndaj dhënësve të shërbimit të kontraktuar. Në kuadër të përmirësimit të kujdesit shëndetësor Drejtorja e FSDKSH-së deklaroi se për vitin 2016 do të punohet për “zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, futjen e pajisjeve mjekësore në listën e rimbursimit për vitin 2016, financimin e paketave spitalore në kapacitete të ngritura në spitale të tjera publike si dhe zgjerimin e partneritetit publik - privat, në funksion të ofrimit të shërbimeve dhe paketave shëndetësore në rajone të tjera të vendit, si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit në spitalet publike. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Z. Ilir Beqaj e vuri theksin në rritjen e financimit që vijnë nga buxheti i shtetit për kujdesin shëndetësor. “Për herë të parë nga 100 lekë që që shpenzohen  nga qytetarët, 55 lekë financohen nga paratë publike”, deklaroi Ministri Beqja. Sipas tij falë uljes së çmimeve të barnave është bërë e mundur zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme gjatë vitit 2015, ndërkohë që kjo listë do të zgjerohet sërish për 2016 por do të përfshijë edhe pajisjet mjekësore.

 Fjalimi i Drejtores se Pergjithshme te FSDKSh, Vjollca Braho. pdf

 

Kontakte

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Adresa: Rruga "Sami Frasheri", nr.  8, Tiranë
Tel: +35542232815 | Fax: +35542274953
e-mail: info@fsdksh.gov.al

Media: media@fsdksh.gov.al

©2019 Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor