Receta elektronike
Tashmë nje realitet për mjekët dhe qytetarët që kërkojnë shërbime shëndetësore
Si Je? Check-up i kursen shoqërisë $125mln dhe parandalon 450 vdekje të parakohshme në 10 vjet
“Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus”

Zbulimi i hershëm i sëmundjeve, përveç se shpëton jetë, sjell edhe përfitim...

Vazhdo leximin...
Karta e shëndetit
Tashmë një realitet
Prezantimi i portalit e-Albania
Porta juaj drejt shërbimeve elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri

 

Karta e Shëndetit është një nga projektet më të rëndësishme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila u vu në zbatim duke filluar nga Janari i vitit 2015 dhe tashmë është realizuar me sukses duke zëvendësuar plotësisht librezat e vjetra shëndetësore. Karta e Shëndetit përmirësoi dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve, me përfitim të drejtpërdrejtë për pacientët.

Bazuar në vendimin e Qeverisë, nr.307, datë 21.05.2014 për “Regjistrimin dhe identifikimin e personave të siguruar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor”, identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, bëhet me anë të kartës së shëndetit. Karta e shëndetit është dokumenti që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar dhe përfiton shërbimet shëndetësore pa pagesë. Karta është personale dhe e patjetërsueshme dhe shpërndahet pa asnjë pagesë apo tarifë shërbimi.

Tashmë qytetarët mund të pajisen me kartë shëndeti  duke paraqitur kartën e identitetit dhe kjo falë aplikimit të sistemeve informatike, duke eleminuar një sërë dokumentesh të nevojshme që duhet të paraqisnin më parë.  Informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, konkretisht verifikimi i kategorisë së tyre bëhet nëpërmjet ndërveprimit elektronik të platformës shtetërore me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Konfirmimi i statusit të këtyre të siguruarve bëhet online.

Për qytetarët, kjo eliminon një radhë dokumentash që nevojiteshin deri dje, redukton vajtje-ardhjet nga një zyrë në tjetrën dhe shkurton kohën e shërbimit.

Gjithashtu falë bashkëpunimit me portalin qeveritar e-Albania është bërë e mundur që qytetarët të aplikojnë dhe të gjenerojnë kartën e shëndetit online, pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet tona. Ky shërbim elektronik ju mundëson të aplikoni direkt online pranë faqes zyrtare www.e-Albania.al për tu pajisur me kartë shëndeti.

 

Dokumentacioni dhe proçedura e shpërndarjes së Kartës së Shëndetit për personat që paraqiten pranë pikave të shpërndarjes.

Për t’u pajisur me kartë shëndeti, personat e siguruar duhet të paraqiten pranë pikave të shpërndarjes së kartës së shëndetit me:

Dokumentacion identifikues i cili duhet të jetë një nga dokumentet e mëposhtme:

  • Karta e identitetit,
  • Çertifikata personale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç,
  • Pasaporta,

Dokumentacioni që vërteton kategorinë përfituese. Dokumentat e kërkuar janë në varësi të kategorisë që i përket i siguruari sipas përshkrimit në Tabelat Nr. 1 dhe Nr. 2 bashkëngjitur këtij materiali.

Që të mund të përfitojë kartën e shëndetit, personi i siguruar duhet të figurojë i regjistruar në regjistrin elektronik të mjekut të familjes. Personat që pajisen për herë të parë me kartë shëndeti duhet të paraqiten pranë mjekut të tyre të familjes për të verifikuar regjistrimin në regjistrin elektronik të tij. Mjeku i familjes kujdeset të verifikojë në regjistrin elektronik të personave të tij saktësinë e të dhënave të personit dhe të bëjë përditësimet ose plotësimet e nevojshme nëse ka mospërputhje apo mangësi.

Personi i siguruar duhet të paraqitet vetë në pikën e shpërndarjes për të marrë kartën e shëndetit, me përjashtim të rastit kur:

■ Të siguruarit i përkasin kategorisë “fëmijë 0-18 vjeç”

■ I përkasin kategorisë “persona me aftësi të kufizuar”

■ Janë të sëmurë që nuk mund të lëvizin, e konfirmuar kjo nga mjeku i familjes.

■ Punonjësi i autorizuar i Qendrës së Trajtimit të Viktimave të Trafikimit për kategorinë  “VT”

■ Punonjësit e autorizuar sipas marrëveshjeve që Fondi ka lidhur me institucione të ndryshme.

Kur personi i siguruar i përmbush të gjitha kushtet për t’u pajisur me kartë shëndeti, personi i ngarkuar për shpërndarjen e saj, bën verifikimin ose regjistrimin e kategorisë  të siguruarit në sistemin informatik dhe printimin e kartës.

Shtetasit e huaj dhe shtetasit pa shtetësi të cilët janë të siguruar sipas legjislacionit shqiptar pajisen me kartë shëndeti vetëm në pikat e caktuara për këtë qëllim pranë zyrave të Drejtorive Rajonale/Degëve të Fondit duke paraqitur: dokumentin e identifikimit, lejen e qëndrimit/leja provizore e qëndrimit e lëshuar nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin dhe/ose lejen e punës.

 

Pajisja dhe ripajisja me Kartë Shëndeti

Pajisja /ripajisja me kartë shëndeti bëhet në rastet kur:

  • personi i siguruar nuk ka kartë shëndeti;
  • personi i siguruar ka humbur ose ka dëmtuar kartën e shëndetit;
  • personi i siguruar ka një kartë shëndeti që i ka përfunduar afati i përfitimit për një apo disa kategori përfituese;
  • kur personi i siguruar ndryshon mjekun e familjes.

 Pajisja/ripajisja me kartë shëndeti e personave të siguruar bëhet në dy mënyra:

  • Pranë pikave të shpërndarjes së kartave ku drejtohen nga mjeku i familjes.
  • Online nëpërmjet portalit e-Albania, nëse bëjnë pjesë në kategoritë e përshkruara në tabelën nr.1.

 

Procedura e shpërndarjes së Kartës së Shëndetit

■ Kartat e shëndetit shpërndahen nga punonjësit e Drejtorive Rajonale të Fondit/Degëve /Agjencive të Fondit, të ngarkuar nga titullari i institucionit përkatës. Bashkëngjitur këtij materiali ndodhen Pikat e Shpërndarjes së Kartës së Shëndetit.

■ Personi i ngarkuar për shpërndarjen e kartës së shëndetit bën kujdes për të plotësuar saktë të gjithë elementët e kartës së shëndetit në regjistrin elektronik dhe në regjistrin e protokollit.

■ Personi i ngarkuar për shpërndarjen e kartës së shëndetit duhet të informojë personat e siguruar për përfitimet qe kanë nga skema e sigurimit shëndetësor, nëse pajisen me kartë shëndeti.

 

Pajisja me Kartë Shëndeti online nëpërmjet portalit e-Albania 

Aplikimi për kartë shëndeti online mund të bëhet në kushtet kur personi është:

  • i regjistruar pranë një mjeku familje dhe i pajisur me Kod Pacienti
  • i regjistruar në portalin e-Albania.
  • i pajisur me Numrin Personal të Identifikimit sipas Gjendjes Civile (NID)

 Mund të aplikojnë dhe të gjenerojnë kartë shëndeti online nëpërmjet portalit e-Albania të gjithë personat e siguruar të cilët bëjnë pjesë në kategoritë e parashikuara në Tabelë Nr.1

  • Për tu pajisur me kartë shëndeti, personi i siguruar mund të aplikojë on line, pranë faqes www.e-Albania.al. Pasi logohet si “qytetar”, klikon në kategorinë e-shërbime ku zgjedh shërbimin elektronik “Aplikim për kartë shëndeti”. Duke klikuar butonin “Përdor” fillon proçedura për pajisjen me kartë shëndeti.
  • Sistemi vërteton të dhënat e personit dhe përcakton automatikisht kategorinë/kategoritë përkatëse. Aplikuesi më pas klikon butonin “Apliko”.
  • Aplikimi online bëhet në mënyrë personale nga personat e siguruar ndërsa për fëmijet e moshës 0-18 vjeç aplikimi bëhet nga prindi kryefamiljar i regjistruar në portalin e-Albania. Proçedura kryhet përmes shërbimit: ”Aplikim për kartë shëndeti për fëmijën nga kryefamiljari”.
  • Pas përmbushjes së kësaj proçedure, duke ndjekur udhëzimet e shfaqura në ekran, aplikuesi mund të printojë ose të shkarkojë kartën e shëndetit tek shërbimi “Gjenerimi i Kartës së Shëndetit”.
  • Karta e shëndetit e printuar online paraqitet në formatin e zakonshëm A4, e printuar bardhë e zi ose me ngjyra. Në të paraqitet përmbajtja e të dy anëve të kartës së shëndetit e plotësuar me të gjitha rubrikat përkatëse. Gjithashtu në të ndodhet edhe barkodi i cili shërben për të vërtetuar vlefshmërinë e kartës të njohur nga sistemi elektronik i kartës së shëndetit i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
  • Karta e shëndetit e printuar online si më sipër ka të njëjtën vlerë si kartat e shëndetit të lëshuara nga sportelet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe njihet nga të gjithë dhënësit e shërbimit shëndetësor të kontraktuar me Fondin.
  •  Kur mjeku i familjes e gjykon të arsyeshme me paraqitjen e pacientit me një kartë shëndeti të printuar online bën verifikimin nëpërmjet skanimit të barkodit nëpërmjet pajisjeve smartfone në portalin qeveritar e-Albania. Mjeku mund ta kryejë verifikimin e vlefshmërise se kategorisë edhe nëpërmjet kontrollit në sistemin e regjistrit elektronik bazuar vetëm në ID personale të banorit.
  • Kur të dhënat e kartës së shëndetit të printuar online dhe të paraqitur nga pacienti përputhen me të dhënat e sistemit që përdor mjeku, pacienti është i siguruar dhe mjeku vazhdon me dhënien e shërbimit shëndetësor përkatës.

 

Formati i Kartës së Shëndetit

 Karta e Shëndetit përmban të dhënat e mëposhtme:

Emrin, mbiemrin, gjininë, ditëlindjen, numrin personal të identifikimit ose numrin e lejes së qëndrimit/lejes provizore të qëndrimit (tekst dhe kod me shirita), kodin e pacientit, Qendrën Shëndetësore dhe mjekun ku është i regjistruar personi, kategorinë përkatëse, emrin, mbiemrin e shpërndarësit të kartës së shëndetit, datën dhe orën e printimit të kartës

  

  Kategoritë përfituese Tabela Nr.1

  Kategoritë përfituese dhe dokumentat vërtetues Tabela Nr.2

  PIKAT E SHPERNDARJES SE KARTES SE SHENDETIT SIPAS RAJONEVE

Kontakte

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Adresa: Rruga "Sami Frasheri", nr.  8, Tiranë
Tel: +35542232815 | Fax: +35542274953
e-mail: info@fsdksh.com.al

©2015 Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor