Harta e Farmacive 24 orëshe në Shqipëri
Receta elektronike
Tashmë nje realitet për mjekët dhe qytetarët që kërkojnë shërbime shëndetësore
Si Je? Check-up i kursen shoqërisë $125mln dhe parandalon 450 vdekje të parakohshme në 10 vjet
“Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus”

Zbulimi i hershëm i sëmundjeve, përveç se shpëton jetë, sjell edhe përfitim...

Vazhdo leximin...
Prezantimi i portalit e-Albania
Porta juaj drejt shërbimeve elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri

Karta e shëndetit, Braho: Ja përfitimet për qytetarët

 

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm për Kujdesin Shëndetësor ka ndërmarrë një paketë masash për të parandaluar shkeljet dhe abuzimet e mëtejshme në skemën e barnave me rimbursim.

 

Drejtoresha e këtij institucioni, Vjollca Braho, bën me dije se janë intensifikuar kontrollet në çdo drejtori të Fondit.

“Paralelisht me këto kontrolle, brenda datës 30 maj, punonjësit tanë në të gjithë vendin do të dorëzojnë formularin e konfliktit të interesit në punë, pasi për mua si drejtuese është e papranueshme që një individ, i cili punon në Fond, të ketë biznese që lidhen drejtpërdrejtë me fushën e veprimtarisë që mbulon institucioni ynë”, thekson Braho.

Një masë e tretë lidhet me misionin e mjekut të familjes dhe numrin e pacientëve që çdo mjek mbulon.

1

DREJTORESHA E FSDKSH, VJOLLCA BRAHO

Mbi bazë të kësaj, do të përcaktohet jo vetëm paga mujore, por njëkohësisht do të bëhet i mundur eliminimi i fiktivitetit të pacientëve që marrin receta me rimbursim.

Në intervistën dhënë për gazetën, Braho bën me dije edhe ecurinë e pajisjes së qytetarëve me karta shëndeti, përfitimit që ky dokument sjell, si edhe disa nga lehtësirat që janë ofruar për qytetarët që përfitojnë nga skema e barnave të rimbursueshme.

Prej katër muajsh jeni në krye të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një institucion i cili vitin e kaluar është përballur me shumë probleme. Si paraqitet aktualisht situata?

Prej katër muajsh unë po drejtoj Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në momentin që nisa këtë detyrë, një ndër problemet me të cilin u përballa ishin radhët e gjata të qytetarëve për pajisjen me kartën e shëndetit, pasi afati i përdorimit të librezave të shëndetit përfundonte në datën 31 dhjetor.

Duke parë këtë situatë, morëm vendimin për shtyrjen e afatit të përdorimit të librezës deri në datën 30 prill, vendim ky që u shoqërua edhe me shtimin e menjëhershëm të sporteleve dhe zgjatjen e orarit të shërbimit deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Ndërkohë, falë aplikimit të programeve informatike, lehtësuam burokracitë që u harxhonin kohë dhe energji qytetarëve, duke u dhënë mundësinë që të pajiseshin me kartë, vetëm duke paraqitur në sportel kartën e identitetit.

Duke pasur parasysh problemet me të cilat është përballur vjet FSDKSH-ja lidhur me fiktivitetin e recetava me rimbursim, ne po vazhdojmë kontrolle të njëpasnjëshme për të pasur në monitorim situatën, që çdo qindarkë e përcaktuar nga buxheti i shtetit të shkojë në favor të pacientëve.

Paralelisht me këto kontrolle, brenda datës 30 maj punonjësit tanë në të gjithë vendin do të dorëzojnë formularin e konfliktit të interesit në punë, pasi për mua si drejtuese është e papranueshme që një individ, i cili punon në Fond, të ketë biznese që lidhen drejtpërdrejt me fushën e veprimtarisë që mbulon institucioni ynë.

Nga ana tjetër, bashkë me mjekët e familjeve të qendrave shëndetësore, kemi nisur pastrimin e regjistrit të shtetasve, çka do të na japë një pasqyrë të saktë të gjendjes reale të numrit të pacientëve që mbulon çdo mjek familjeje. Kjo sigurisht që do të lidhet jo vetëm me mënyrën e përfitimit të shpërblimit që do të marrin mjekët për ngarkesën e vizitave, por edhe me eliminimin e fiktivitetit të pacientëve që marrin receta me rimbursim.

Në datën 30 prill ka përfunduar afati i përdorimit të librezës së shëndetit dhe tashmë qytetarët duhet të paraqiten për të marrë shërbimin shëndetësor falas vetëm me kartë shëndeti. Si ka ecur ky proces dhe çfarë përfitimi sjell përdormi i kartës?

Procesin e shpërndarjes së kartës së shëndetit, tashmë pas përfundimit të afatit të përdorimit të librezave të shëndetit, do ta vlerësoja të suksesshëm.

Pavarësisht problemeve me të cilat ne u përballëm në fillim të vitit, falë angazhimit të të gjithë punonjësve gjithçka shkoi mirë. Aktualisht çdo qytetar, i cili kërkon të pajiset me kartë shëndeti, mund të paraqitet pranë sporteleve tona vetëm me kartën e identitetit në qendrën ku ka mjekun e familjes, ose mund ta printojë vetë nga kompjuteri nëpërmjet portalit ealbania.

Këto dy sisteme bënë që koha e pajisjes me këtë dokument të shkurtohej ndjeshëm, duke u ofruar qytetarëve një shërbim mjaft cilësor. Për të qenë më konkretë, nga janari i vitit 2015 deri ditën e djeshme janë shpërndarë në total 1,502,102 karta shëndeti, nga të cilat vetëm për periudhën nga janari 2016 deri në datën 20 maj janë shpërndarë 809,676, ndërsa 9,981 karta të tjera janë gjeneruar nga portal e-albania.

Përdorimi i kartës së shëndetit ka sjellë një sërë lehtësish, jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe të dhënies së një pasqyre të qartë të të gjitha grupmoshave dhe kategorive të përfituesve që paraqiten për të marrë shërbim pranë mjekut të familjes.

Përdorimi i kësaj karte e ka kthyer rolin e mjekut të familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk janë më të detyruar të plotësojnë fletë libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët marrin shërbim e duhur.

Përdorimi i kartës ka bërë të mundur gjithashtu lidhjen e regjistrit të të siguruarve me regjistrin e pacientëve, ndërkohë i jep mundësi mjekut për të mbajtur të përditësuar regjistrin e pacientëve, duke pasur akses elektronikisht për kategorinë për të cilën personi është i siguruar.

Ju tashmë jeni duke aplikuar disa sisteme të reja informatike, kryesisht në përdorimin e recetës elektronike, e cila tashmë po zbatohet në qytetin e Durrësit. Sa dhe si do të ndikojë përdorimi i kësaj recete në eliminimin e abuzimeve dhe kur do të përfundojë implementimi i saj në të gjithë Shqipërinë?

Informatizimi i shërbimeve të ofruara është prioritet i punës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016. Në këtë kuadër, për të mundësuar përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, rritjes së sigurisë dhe transparencës, FSDKSH-ja prej datës 15 shkurt ka realizuar shpërndarjen online të kartave të shëndetit.

Kjo ka sjellë jo vetëm shkurtimin e kohës së shërbimit, por eliminoi edhe fiktivitetin e një sërë dokumentesh që paraqiteshin për të marrë shërbim në mënyrë të padrejtë.

Aplikimi i këtij sistemi jo vetëm që krijon një regjistër të plotë dhe të saktë të të dhënave të pacientëve pranë mjekëve të familjeve, por edhe i jep mundësi Fondit që, nëpërmjet aplikimit të sistemit të recetës elektronike, të identifikojë në kohë reale personat dhe shërbimet që ata kanë përfituar nga mbështetja e politikave shëndetësore që ka ndërmarrë qeveria.

Aktualisht po, sistemi i recetës elektronike po aplikohet në qarkun e Durrësit, i zgjedhur si qarku pilot për nisjen e këtij projekti.

Brenda këtij viti, receta elektronike do të nisë zbatimin edhe në qarkun e Tiranës, si dhe në disa nga qarqet e tjera të mëdha të vendit. Ky sistem do t’u vijë në ndihmë dhënësve të shërbimit shëndetësor (mjekë, farmaci), pasi synohet lehtësimi i procedurave administrative, mundësimin e historikut të pacientëve dhe sjellja e informacionit dhe monitorimit në kohë reale për FSDKSH-në.

Gjithashtu, falë recetës elektronike, do të shmangen abuzimet e mundshme (siç janë recetat fiktive, pasi mjeku vihet në dijeni për çdo recetë të lëshuar), si dhe i jepet mundësia Fondit që të rrisë transparencën, sigurinë dhe saktësinë e informacionit.

Ju keni ndërmarrë disa ndryshime që kanë të bëjnë me ekzaminimet terciare, si dhe për eliminimin e burokracive për konsultat për pacientët që trajtohen me barna të shtrenjta. Çfarë lehtësish krijojnë këto ndryshime për pacientët?

Në momentin që mora detyrën, përveç problematikës së trajtuar më sipër, konstatova se pranë drejtorisë sonë në QSUT kishte radhë të gjata pacientësh që kërkonin të trajtoheshin me barna të skemës së rimbursimit.

Për këtë arsye ngrita një grup pune, të cilët pasi studiuan situatën dhe shkaqet, arritëm në konkluzion që ishte e domosdoshme që të lehtësoheshin procedurat në marrjen dhe dhënien e këtyre medikamenteve. Nga takimet me mjekët rezultoi se praktikisht konsulta kryhej nga një mjek specialist dhe firmat dhe vulat e tjera merreshin për procedurë, gjë e cila sillte një ngarkesë artificiale në shërbim.

Duke iu referuar kësaj situate, nga ana jonë u mundësua lehtësimi i procedurave të kryerjes së konsultës mjekësore për plotësimin e recetës me rimbursim nga mjekët specialistë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që solli eliminimin e burokracive për këtë kategori pacientësh.

Për ta bërë më të qartë, deri para nxjerrjes së këtyre ndryshimeve, konsulta për përfitimin e këtyre barnave bëhej nga një komision mjekësh të secilit shërbim.

Aktualisht, kjo konsultë mund të kryhet nga një ose më shumë mjekë specialistë të shërbimit, kjo në varësi të protokollit klinik të sëmundjes dhe protokollit të përdorimit të barit.

Po kështu, u eliminua edhe procedura e miratimit të mjekimit nga DSHSUKS dhe DRF në qarqe, sepse deri para këtyre ndryshimeve, receta me rimbursim plotësohej nga mjekët vetëm pas miratimit nga drejtoritë vartëse të Fondit, gjë e cila sillte vonesa në marrjen e mjekimit dhe radhë të gjata të pacientëve në drejtori në pritje të miratimit të mjekimit.

Falë ndryshimeve të bëra, aktualisht rekomandimi i mjekut të familjes dhe mjekut specialist përkatës të rajonit do të kërkohet vetëm në fillim të mjekimit dhe do të mjaftojë deri në përfundim të mjekimit dhe periudhës së rikontrollit.

Kjo ka sjellë lehtësimin e procedurave të zbatimit të sistemit të referimit. Ndërkaq, për sa u përket ekzaminimeve unikale terciare, prej dy muajsh marrja e këtyre shërbimeve jo vetëm që bëhet pa paguar asnjë tarifë nga pacientët, por edhe është ulur afati i listë-pritjeve.

Nëse deri para pak muajsh për të bërë një skaner duheshin mbi 30 ditë, aktualisht pacientët e marrin këtë shërbim brenda dy ditësh.

Nga sa është bërë e njohur në media, ju keni ngritur një grup auditi në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. A ka ndonjë rezultat deri më tani dhe a do të shtrihet ky kontroll në të gjitha DRF-të?

Duke pasur parasysh problematikën me të cilën është përballur institucioni gjatë vitit të kaluar, kam kërkuar monitorimin dhe shtimin e kontrolleve për të eliminuar çdo abuzim me recetat fiktive të rimbursimit.

Gjatë kësaj kohe, nga strukturat e auditit të brendshëm gjatë ushtrimit të kontrollit në DRF Tiranë u konstatuan se janë lëshuar receta me rimbursim për produktin “NeuraAID II MLC901”, përfitues i të cilit është kategoria e veteranëve dhe invalidëve të luftës, për të cilin ju tashmë jeni njohur edhe më parë.

Kategoria e veteranëve, në bazë të legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi, ka të drejtën të përfitojë barna falas për trajtim ambulator të sëmundjeve kronike, si brenda listës së barnave me rimbursim, ashtu edhe jashtë saj, çka u krijoi mundësinë disa individëve që të abuzonin me produktin e mësipërm.

Në këto kushte, nga ana jonë u morën masa të karakterit administrativ, që do të thotë largim nga puna për 7 punonjës të DRF-së Tiranë, si dhe u bënë kallëzimet penale pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Nisur nga ky fenomen, si dhe për të parandaluar çdo abuzim tjetër, kam urdhëruar ngritjen e një grupi pune, i cili po ushtron kontroll në DRF Tiranë për periudhën janar 2015 – 31 mars 2016. Aktualisht, mund të them se sërish janë konstatuar shkelje, por që rezultatin do e bëjmë të njohur për publikun në përfundimin e plotë të këtij kontrolli.

Paralelisht me këtë proces, janë hartuar programet e punës për të ushtruar kontroll në të gjitha drejtoritë rajonale të FSDKSH-së në të gjithë vendin. Dhe dua të theksoj edhe një herë se ne do të vazhdojmë kontrollet për eliminuar çdo abuzim në skemën e barnave me rimbursim, si dhe do të dërgojmë për ndjekje penale çdo shkelje të konstatuar.

Marrë nga gazeta Panorama: http://www.panorama.com.al/karta-e-shendetit-braho-ja-perfitimet-per-qytetaret/

Kontakte

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Adresa: Rruga "Sami Frasheri", nr.  8, Tiranë
Tel: +35542232815 | Fax: +35542274953
e-mail: info@fsdksh.gov.al

Media: media@fsdksh.gov.al

©2019 Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor