Receta elektronike
Tashmë nje realitet për mjekët dhe qytetarët që kërkojnë shërbime shëndetësore
Si Je? Check-up i kursen shoqërisë $125mln dhe parandalon 450 vdekje të parakohshme në 10 vjet
“Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus”

Zbulimi i hershëm i sëmundjeve, përveç se shpëton jetë, sjell edhe përfitim...

Vazhdo leximin...
Prezantimi i portalit e-Albania
Porta juaj drejt shërbimeve elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri

Foto

Që prej vitit 2004, çdo vit në 14 Qershor në shumë vende të botës organizohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Për  këtë vit, tema e  fushatës është “Gjaku na lidh ne të gjithëve” dhe ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës së të gjitha vendeve në botë, për rëndësinë që ka sigurimi në kohë i gjakut dhe produkteve të tij. Gjithashtu, ajo fokusohet edhe në falenderimin e të gjithë dhuruesve vullnetarë të gjakut të cilët shpëtojnë jetë çdo ditë me dhurimin e gjakut të tyre.

 

  1. I.Objektivat e fushatës për këtë vit janë :
  • Falenderimi për dhuruesit e gjakut të cilët me dhurimin e tyre kanë shpëtuar jetë.
  • Promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut në mënyrë të rregullt.
  • Ndërgjegjësimi i mbarë opinionit publik për nevojën e dhurimit të gjakut, si dhe për t’i inkurajuar dhuruesit e gjakut për një dhurim në intervale të rregullta.
  • Vëmendja e veçantë për shëndetin e dhuruesve dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor ndaj tyre.
  • Vlerësimi për dhuruesit vullnetarë të gjakut nga ana e politikëbërësve, si dhe sigurimi i burimeve të nevojshme për një kujdes shëndetësor cilësor për dhuruesit e gjakut.
  1. II.Fakte nga bota
  • Çdo vit në gjithë botën mblidhen rreth 107 milionë njësi gjaku të dhuruara. Ka një rritje me 25% të dhurimit të gjakut, krahasuar me vitin 2004 ku kishim 80 milionë dhurime në vit në mënyrë globale.
  • Në vendet me të ardhura të pakta, rreth 65% e gjakut të dhuruar u jepet fëmijëve nën 5 vjeç; ndërsa në vendet me të ardhura të larta, gjaku i dhuruar përdoret për moshat mbi 65 vjeç.
  • Në vendet me të ardhura të larta kemi 39.2 dhurime gjaku për 1000 banorë, 12.6 dhurime në vendet me të ardhura të mesme, dhe 4 dhurime për 1000 banorë në vendet me të ardhura të pakta.
  • Furnizimi i duhur dhe i besueshëm me gjak të sigurt mund të sigurohet vetëm nëpërmjet dhurimit të tij në mënyrë të rregullt, vullnetar dhe pa pagesë. Kjo, për arsye se ata janë grupi më i sigurt i dhuruesve, pasi infeksionet që mund të mbartë gjaku i tyre janë më të pakta.
  • Objektivi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që deri në vitin 2020, të gjitha vendet e botës të sigurojnë dhurim të gjakut 100% në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë. Aktualisht, vetëm në 60 vende të botës dhurimi i gjakut është 100% në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë.
  • Gjaku që dhurohet duhet gjithmonë të testohet për viruset e HIV, Hepatitin B, Hepatitin C dhe Sifilizin. Në 25 vende në botë nuk bëhet akoma testimi i gjakut të dhuruar për këto sëmundje infektive.
  • Nga një njësi gjaku të dhuruar mund të përfitojnë disa pacientë. Ndarja e gjakut sipas përbërësve të tij bën që një njësi gjaku e dhuruar të përdoret për disa pacientë, duke u dhënë atyre vetëm përbërësin e gjakut për të cilin ata kanë nevojë.
  1. III.Fakte nga vendi
  • Rreth 0.9% e popullatës shqiptare me 2.8 milionë banorë (sipas Census 2011) dhuron gjak.
  • Ne kemi rreth 9 dhurime gjaku për 1000 banorë. Nevojat e vendit për gjak janë të mjaftueshme me 20 dhurime gjaku për 1000 banorë.
  • Vetëm në Tiranë gjatë një jave, në spital përdoren rreth 540 njësi gjaku, por nevojat janë më të mëdha.
  • Për pacientët me talasemi përdoren aktualisht rreth 110 njësi gjaku në javë.
  • Në pacientët me trauma dhe aksidente automobilistike të ndryshme përdoren afërsisht 30 njësi gjaku në javë.
  • Në sëmundjet e brendshme dhe sëmundjet e gjakut përdoren rreth 70 njësi gjaku në javë.
  • Në pacientët kirurgjikë përdoren rreth 150 njësi gjaku në javë.
  • Në të tjera patologji si tumore, hemorragji gjatë lindjes etj, përdoren rreth 180 njësi gjaku në javë.
  1. IV.Përse duhet të dhurojmë gjak :

Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku i sigurt shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin, por shumë pacientë që iu nevojitet transfusion gjaku nuk e gjejnë atë në kohë dhe të sigurt. Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë. Mungesa e gjakut ka çuar në vdekje, si dhe në vuajtje nga sëmundjet e ndryshme.

Dhurimi i gjakut nevojitet për:

  • Gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes.
  • Fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vijnë nga malaria dhe kequshqyerja.
  • Njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike, për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme.
  • Gjithashtu, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi etj.
  1. V.Kush mund të dhurojë gjak :

Mund të bëhet dhurues çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon  50 kg e lart dhe ka moshën 18 – 60 vjeç.

  1. VI.Kush nuk mund të dhurojë gjak :

Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë :

  • Sëmundje kardiovaskulare
  • Sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz)
  • Kryer transplante
  • Diabet insulinovartë
  • Sëmundje autoimune
  • Tumore malinje
  • Epilepsi
  • Sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:

  • Marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7 ditore me antibiotik.
  • Kollë dhe dhimbje fyti.
  • Kryer një ndërhyrje kirurgjike brenda vitit.
  • Gratë gjatë shtatzënisë dhe një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual.
  • Bërë tatuazhe apo pircinge në 4 muajt e fundit.
  • Marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjike.
  • Bërë një vaksinë.
  • Kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme.
  • Alergji të ndryshme në fazën akute.
  • Kryer ekzaminime endoskopike.
  1. VII.Sa shpesh mund të dhurojmë gjak :

Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj (me miratimin e prindërve).

Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut.

Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj.

  1. VIII.Sa gjak dhurohet :

Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%).

Marrja e gjakut zgjat rreth 5 deri 8 min, dhe kryhet me materiale mjekësore sterile dhe njëpërdorimshe. Sasia e gjakut të dhuruar zëvendësohet brenda pak orëve, ndërsa duhen rreth 20 ditë që të rifitohet numri normal i qelizave.

  1. IX.Çfarë duhet bërë para dhe pasi dhurohet gjak :

Ditën që do të dhuroni gjak hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit (peshën, rrahjet e zemrës, tensionin, hemoglobinën), dhe do të kryej një bashkëbisedim të shkurtër me qëllim përpilimin e një pyetësori, gjë që përcakton aftësinë dhe pranimin për dhurim të gjakut.

  1. X.Çfarë përfitoj unë nëse dhuroj gjak :

Çdo dhuruesi gjaku përfiton këto testime :

  • Gjak komplet
  • Transaminazat ALT
  • Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh
  • Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz dhe Citomegalovirus (CMV)

Nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si:

  • Glicemia
  • Kreatinemia
  • Proteinemia
  • Kolesterolemia
  • Trigliceridemia
  • Feritinemia
  1. XI.Ku dhurohet gjaku :

Ne kemi Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe 4 Banka të dhurimit të gjakut në Tiranë pranë spitalevë të mëdha, si dhe njësitë për mbledhjen e Gjakut në 26 rrethe të vendit.

Për më shumë informacion kontaktoni Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të  Gjakut, Tiranë.

E-mail: This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Kontakte

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Adresa: Rruga "Sami Frasheri", nr.  8, Tiranë
Tel: +35542232815 | Fax: +35542274953
e-mail: info@fsdksh.gov.al

Media: media@fsdksh.gov.al

©2019 Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor